Rritja e vazhdueshme e numrit të banorëve në Fushë Kosovë po shton nevojën për më shumë hapësira publike dhe infrastrukturë më funksionale. Autoritetet komunale kanë paralajmëruar dy projekte të rëndësishme: ndërtimin e një sheshi modern në pjesën e vjetër të qytetit dhe nisjen e punimeve në gjysmëunazën që synon të lehtësojë trafikun.
Hapësira poshtë rrugës kryesore “Nënë Tereza”, që të shpie drejt hekurudhës, është planifikuar të transformohet në një shesh bashkëkohor. Ky projekt parashihet të krijojë kushte për organizimin e aktiviteteve kulturore, si dhe për rinovimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës.
Sipas kryetarit të komunës, Valon Prebreza, ky investim synon ta rikthejë gjallërinë në zonën e vjetër të qytetit dhe të shërbejë si hapësirë e përbashkët për komunitetin:
“Sheshi që kemi prezantuar është paraparë të jetë në pjesën e vjetër të qytetit, e cila do të ringjallet dhe do të mundësojë që të gjitha aktivitetet kulturore të zhvillohen aty. Aty përfshihet edhe rinovimi dhe funksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës.”
Banorët e Fushë Kosovës e konsiderojnë projektin të domosdoshëm, duke theksuar mungesën e hapësirave të gjelbra dhe vendeve për pushim.
“Na nevojitet, sepse Fushë Kosova është e mbipopulluar dhe ka nevojë për një vend me gjelbërim”, tha një qytetar.
“Është shumë i nevojshëm. Ne pensionistët kemi nevojë për një vend ku të dalim e të shëtisim dhe të jetë i pastër,” shtoi një tjetër qytetar.
Përveç sheshit, komuna ka paralajmëruar edhe fillimin e punimeve në gjysmëunazën e qytetit, projekt që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe përmirësimin e infrastrukturës për banorët.







