21 Shkurti shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, një datë që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të gjuhëve në mbarë botën. Kjo ditë u shpall nga UNESCO dhe u miratua më 21 shkurt 1999 nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë, me synimin për të mbrojtur diversitetin gjuhësor dhe për të forcuar rolin e gjuhëve amtare në identitetin kulturor të popujve.
Për shqiptarët, kjo datë ka peshë të veçantë historike. Ajo lidhet me përpjekjet shekullore për ruajtjen dhe zhvillimin e shqipes, veçanërisht me angazhimin e rilindësve për unifikimin e alfabetit. Kongresi i Manastirit, i njohur si Kongresi i Alfabetit, shënon një moment vendimtar në konsolidimin kombëtar, ku gjuha u kthye në faktor kyç të bashkimit.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, shqipja u shpall gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar. Edhe pse copëtimi i trojeve shqiptare në vitin 1913 solli ndarje politike, gjuha mbeti elementi themelor i identitetit dhe unitetit kombëtar. Një tjetër pikë referimi në historinë e saj ishte Kongresi i Drejtshkrimit, i cili standardizoi drejtshkrimin dhe forcoi njësimin gjuhësor në të gjitha trevat shqiptare.
Në këtë përvjetor, vëmendje të veçantë merr edhe një zhvillim i ri në fushën e leksikografisë: hapja për publikun e platformës online të “Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe” nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Platforma, e aksesueshme në domenin fjalori.online, është funksionale që nga 12 janari 2026 dhe ofron qasje të lirë për të gjithë përdoruesit.
“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” përfaqëson kurorëzimin e një pune pesëvjeçare (2021–2025) dhe përfshin mbi 125.000 njësi leksikografike: rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, mijëra njësi frazeologjike, togfjalësha terminologjikë, terma të huazuar dhe rreth 250.000 kuptime leksikore të shoqëruara me mbi një milion shembuj ilustrues.
Kjo vepër konsiderohet një instrument themelor për studiuesit, mësuesit, nxënësit, gazetarët dhe të gjithë përdoruesit e shqipes, duke dëshmuar se gjuha amtare vazhdon të mbetet shtylla kryesore e identitetit dhe unitetit kombëtar.









