Përballë krizës klimatike dhe tensioneve gjeopolitike që po ndikojnë në tregjet globale të energjisë, Bashkimi Evropian po punon për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare. Qëllimi është të sigurohet një rrjet më i integruar energjetik, që jo vetëm rrit sigurinë e furnizimit, por edhe ndihmon në përfshirjen e më shumë burimeve të rinovueshme në sistemin e përbashkët evropian të energjisë.
Importet dhe eksportet në rritje
Të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) tregojnë një rritje të ndjeshme të tregtisë së energjisë elektrike në Evropë gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2024, nga 35 vende të analizuara, 13 rezultuan eksportuese neto, ndërsa 21 ishin importuese neto. Vetëm Qiproja nuk raportoi importe. Në total, BE eksportoi më shumë energji sesa importoi, me një mesatare prej -0.5%.
Eksportuesit kryesorë: Suedia dhe Franca
Suedia dhe Franca kryesojnë listën e eksportuesve të energjisë elektrike në Evropë, me norma eksporti përkatësisht -27% dhe -22%. Ekspertët shpjegojnë se ky rezultat vjen si pasojë e kapaciteteve të mëdha hidroelektrike dhe bërthamore që kanë këto vende. Ndërkohë, shtetet që mbështeten më shumë në burime të paqëndrueshme – si era apo dielli – detyrohen të importojnë kur prodhimi i tyre bie.
Italia – importuesja më e madhe e energjisë
Në aspektin e vëllimit të tregtisë, Italia renditet si importuesja më e madhe neto në Evropë me 51,000 GWh, e ndjekur nga Gjermania me 26,269 GWh. Nga ana tjetër, Franca qëndron në krye si eksportuesja më e madhe neto me 89,851 GWh, e ndjekur nga Suedia me 33,435 GWh. Rimëkëmbja e prodhimit bërthamor dhe rritja e energjisë së rinovueshme kanë forcuar ndjeshëm rolin e Francës në tregun evropian.
Tregtia ndërkufitare, çelësi i stabilitetit energjetik
Sipas ekspertëve, tregtia ndërkufitare e energjisë është jetike për një sistem të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të përballueshëm. Këto shkëmbime ndihmojnë në uljen e kostove për konsumatorët dhe garantimin e furnizimit të pandërprerë. Një shembull i qartë është bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Danimarkës – kur bie prodhimi diellor në Gjermani, energjia e erës nga Danimarka kompenson mungesën. /Gjurmuesi/









