Pas miratimit të marrëveshjeve kyçe në Kuvend për Planin e Rritjes, Kosova ka marrë të drejtën për të përfituar mjetet e parafinancimit nga Komisioni Evropian. Zyrtarët e këtij institucioni konfirmuan se vendi tashmë ka dorëzuar kërkesën për lirimin e deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar.
“Tani që marrëveshjet e lidhura me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë parafinancimin. Sapo këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme, mund të bëhet lirimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Nga Plani i Ri i Rritjes, Kosova përfiton rreth 880 milionë euro, ndërsa mjetet e parafinancimit të menjëhershme kapin vlerën mbi 60 milionë euro.
Për të përfituar fondet e mbetura, vendi duhet të përmbushë disa parakushtet, duke përfshirë stabilitetin makroekonomik, menaxhimin e financave publike në mënyrë të shëndoshë, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit, mbrojtjen e mekanizmave demokratikë, si dhe angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Jozyrtarisht, shuma e parafinancimit prej 7 për qind është në dispozicion për secilin vend përfitues. Pagesat e tjera bëhen pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve, një procedurë që aplikohet për të gjithë vendet përfitues të rajonit.









