Ceremonia e 98-të e Çmimeve të Akademisë do të sjellë në skenë disa nga emrat më të vlerësuar të edicionit të kaluar. Katër fitues të kategorive kryesore të aktrimit do të rikthehen këtë vit për të ndarë çmimet për pasardhësit e tyre.
Sipas njoftimit të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, Adrien Brody dhe Mikey Madison, fitues për rolet kryesore, si dhe Kieran Culkin dhe Zoe Saldana, të shpërblyer për rolet mbështetëse, do të jenë prezantues në ceremoninë e 15 marsit. Eventi do të moderohet për herë të dytë nga Conan O’Brien dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC.
Në edicionin e kaluar, Madison, Culkin dhe Saldana morën Oscarin e tyre të parë, ndërsa për Brodyn ishte çmimi i dytë si Aktor më i Mirë për rolin në filmin “The Brutalist”.
Filmi “Sinners” i Ryan Coogler kryeson garën këtë vit me 16 nominime, duke vendosur rekord.
Në kategorinë e Aktores më të Mirë janë nominuar Jessie Buckley për “Hamnet”, Rose Byrne për “If I Had Legs I’d Kick You”, Renate Rainsve për “Sentimental Value”, Emma Stone për “Bugonia” dhe Kate Hudson për “Song Sung Blue”.
Për çmimin e Aktorit më të Mirë konkurrojnë Timothée Chalamet për “Marty Supreme”, Leonardo DiCaprio për “One Battle After Another”, Ethan Hawke për “Blue Moon”, Michael B. Jordan për “Sinners” dhe Wagner Moura për “The Secret Agent”.
Në kategorinë e Aktorit Mbështetës janë nominuar Jacob Elordi për “Frankenstein”, Sean Penn dhe Benicio del Toro për “One Battle After Another”, Stellan Skarsgård për “Sentimental Value” dhe Delroy Lindo për “Sinners”.
Ndërsa për Aktoren më të Mirë Mbështetëse garojnë Elle Fanning dhe Inga Impsdotter Liljes për “Sentimental Value”, Amy Madigan për “Weapons”, Wanmi Mosaku për “Sinners” dhe Teyana Taylor për “One Battle After Another”.
Votimi përfundimtar për çmimet Oscar do të zhvillohet nga 26 shkurti deri më 5 mars









