Të jesh i pasur nuk do të thotë domosdoshmërisht vetëm para. Pasuria mund të matet me kohë të lirë, me njerëzit që të rrethojnë apo me qetësinë që gjen në natyrë. Por për disa, ideja e luksit lidhet edhe me zotërimin e një ishulli privat.
Tani, Visit Sweden po ofron një kombinim të këtyre përvojave, duke vënë në dispozicion pesë ishuj privatë në kuadër të një fushate që synon të “ndarë një perspektivë shumë suedeze mbi lirinë dhe përgjegjësinë në natyrë”.
“Suedia ka më shumë ishuj se çdo vend tjetër në botë, dhe ne do të donim t’i ftonim njerëzit të shijojnë atë që mund të jetë forma më e vërtetë e luksit: paqja dhe qetësia e natyrës në ishullin tuaj”, thotë Susanne Andersson, CEO në Visit Sweden.
Megjithatë, ka disa kushte të rëndësishme. Edhe pse fushata sugjeron se do të ishte “ishulli juaj suedez”, fituesit nuk do ta zotërojnë realisht ishullin dhe as nuk do të kenë të drejtë ta riemërtojnë atë.
Në vend të pronësisë, fituesit do të shpallen kujdestarë zyrtarë të ishullit për një periudhë njëvjeçare dhe do të pajisen me një diplomë që e vërteton këtë status. Gjatë asaj kohe, ata mund të bëjnë kamping, të notojnë, të ftojnë miq dhe të kalojnë kohë në natyrë, duke respektuar jetën e egër dhe mjedisin.
Për shkak të së Drejtës së Qasjes Publike që është e sanksionuar me ligj në Suedi, edhe persona të tjerë mund ta vizitojnë apo të kalojnë nëpër ishull gjatë kësaj periudhe.
Pesë ishujt në dispozicion janë Medbådan, Flisan, Storberget, Tjuvholmen dhe Marsten. Çmimi përfshin një udhëtim vajtje-ardhje në Suedi për dy persona, por jo transportin deri në ishujt “mrekullisht të izoluar”. Fituesit duhet të organizojnë vetë lëvizjen, përmes marrjes me qira të një kajaku, dërrase me vozitje në këmbë apo varke.
Për të marrë pjesë në konkurs, aplikantët duhet të dërgojnë një video deri në një minutë, ku shpjegojnë pse e meritojnë një ishull. Shanset mund të rriten duke e shpërndarë videon në rrjetet sociale me hashtagun #YourSwedishIsland.
Aplikimet pranohen deri më 17 prill 2026, ndërsa një juri do të përzgjedhë propozimet më kreative dhe do të shpallë fituesit në maj të këtij viti.
Konkursi është i hapur për të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë mbi 18 vjeç, me përjashtim të miliarderëve. Arsyeja? Visit Sweden “kërkon ta ripërcaktojë luksin si thjeshtësi, heshtje dhe liri në natyrë – jo tepri materiale”.









