Pas përfundimit të marshimit të sotëm në Prishtinë, organizatorët reaguan me një mesazh falënderimi për pjesëmarrësit, duke e cilësuar tubimin si një moment me peshë të veçantë.
Platforma Qytetare “Liria Ka Emër” shprehu mirënjohjen më të thellë për çdo qytetar që ishte në shesh dhe që iu bashkua marshimit, të cilin e cilësoi historik.
Në njoftimin zyrtar pas protestës, Platforma “Liria Ka Emër” theksoi se mesazhi i sotëm ishte i qartë: “populli foli. Dhe në emër të popullit, ata janë – ÇLIRIMTARË”.
“Prishtina sot ishte e bllokuar, e stërmbushur dhe e bashkuar. Qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, nga rajoni, diaspora dhe deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vërshuan sheshet e kryeqytetit për të dhënë një mesazh të qartë, dinjitoz dhe paqësor. Edhe përkundër kushteve të vështira atmosferike, qytetarët qëndruan me orë të tëra në shesh, duke dëshmuar se kjo kauzë është mbi çdo dallim dhe mbi çdo interes tjetër. Prania masive dhe vendosmëria e tyre dëshmuan se kjo nuk është çështje e një individi apo një grupi, por çështje e dinjitetit kombëtar dhe e së vërtetës historike”, shkruhej tutje në njoftim.
Marshimi u mbajt në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”, dhe u cilësua si më i madhi në historinë e Kosovës së lirë. Tubimi ishte në mbrojtje dhe mbështetje të çlirimtarëve që po përballen me proces gjyqësor në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre.







