Një rast i raportuar si zhdukje në Istog ka përfunduar pa pasoja fatale, pasi personi i moshuar është gjetur gjallë brenda banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Fadil Ferati”, ku familjarët kishin shprehur shqetësim për mungesën e kontaktit me të.
Sipas Policisë, të afërmit kishin raportuar rastin pasi i moshuari, i cili jetonte i vetëm, nuk u ishte përgjigjur thirrjeve telefonike për një kohë të caktuar.
Njësiti policor, në koordinim me një familjar dhe pas konsultimit me prokurorin, ka ndërhyrë duke hapur me forcë derën e banesës. Brenda është gjetur i moshuari me shenja jete.
Ai është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor dhe aktualisht po merr tretman në Spitalin Rajonal në Pejë.







