Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë me të cilën riafirmon qëndrimin për luftën çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një përpjekje të drejtë dhe legjitime për liri e dinjitet. Përmes kësaj deklarate, institucioni më i lartë ligjvënës në vend thekson rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përshëndetur këtë vendim, duke u zotuar se do ta mbrojë atë në çdo forum ndërkombëtar, si dhe do të kundërshtojë çdo tentativë për barazimin e viktimës me agresorin, ndërsa ka shprehur solidaritet të plotë me Kosovën.
Deklaratë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme
Sot, Kuvendi i Shqipërisë foli me një zë për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike. Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive.
Në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe për familjet e tyre, Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare.
Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar.







