Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin me 45 vite burg për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në një postim në rrjetin X, Rama shprehu habinë dhe indinjatën e tij, duke theksuar se nuk mund të kuptojë logjikën e prokurorisë për një “varrosje të gjallë” të ish-krerëve të UÇK-së në zemër të Evropës demokratike.
“Më pyesin miq nga Prishtina pse nuk po shprehesh për mikun tënd që sot u ngarkua me 45 vjet burg në pretencën e prokurorisë së Hagës?! Nuk po shprehem dot, pasi ende po mundohem ta gjej ku buron filli logjik që ka ndjekur prokuroria për të dalë me kërkesën për varrosje për së gjalli të katër burrave dhe si kurrë ndonjëherë, fjalët nuk më vijnë në ndihmë për t’u shprehur… Ndjesë, më duhet kohë ta gëlltis gjithë atë mal me mut që nxori sot ajo prokurori në zemër të Evropës demokratike!”, shkruan Rama.
Për krahasim, pesë gjeneralë serbë janë dënuar me 89 vite për krimet e kryera në Kosovë, ndërsa për katër ish-komandantët e UÇK-së kërkohen gjithsej 180 vite, 45 për secilin.
Kryeprokurorja Kimberly West, gjatë fjalëve përfundimtare në Dhomat e Specializuara, vuri theksin te rëndësia e akuzave, duke i cilësuar ato si krime kundër njerëzimit.
Ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar të gjitha akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa mbrojtja e tyre ka argumentuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese.







