Një risi shkencore me potencial për të ndryshuar rrënjësisht trajtimin e diabetit është prezantuar nga një ekip ndërkombëtar studiuesish. Teknologjia e re synon të eliminojë nevojën për injeksione të përditshme të insulinës, duke ofruar një zgjidhje të automatizuar brenda vetë trupit të pacientit.
Hulumtimi është udhëhequr nga inxhinieri izraelit Shady Farah, në bashkëpunim me disa universitete të njohura amerikane. Studimi është publikuar në revistën “Science Translational Medicine” dhe paraqet një implant qelizor që funksionon si një “mushkëri artificiale” autonome.
Sipas përshkrimit, pajisja monitoron në mënyrë të vazhdueshme nivelin e glukozës në gjak, prodhon insulinë brenda organizmit dhe çliron sasinë e saktë që trupi ka nevojë, pa përdorimin e pompave, injeksioneve apo ndërhyrjes së pacientit.
Një nga elementet më të rëndësishme të kësaj teknologjie është sistemi mbrojtës i quajtur “mburoja kristaline”, i projektuar për të parandaluar reagimin e sistemit imunitar ndaj implantit. Kjo qasje synon të kapërcejë një nga pengesat kryesore që për dekada ka kufizuar terapitë qelizore.
Sipas studiuesve, kjo mburojë i mundëson implantit të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të besueshme për vite me radhë. Testimet laboratorike tek minjtë kanë treguar rregullim efektiv dhe afatgjatë të nivelit të glukozës, ndërsa studimet tek primatët jonjerëzorë kanë konfirmuar se qelizat brenda implantit mbeten të gjalla dhe funksionale.
Këto rezultate konsiderohen si bazë e fortë për nisjen e testimeve klinike te njerëzit në të ardhmen. Edhe pse fokusi kryesor aktual është diabeti, ekipi hulumtues thekson se e njëjta platformë teknologjike mund të përshtatet për ofrimin e terapive të tjera biologjike në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas ekspertëve, kjo qasje mund të hapë rrugë të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike si hemofilia, si dhe çrregullime të ndryshme metabolike apo gjenetike. Nëse teknologjia rezulton e suksesshme në përdorim njerëzor, ajo mund të transformojë menaxhimin e sëmundjeve kronike duke zëvendësuar trajtimet e përjetshme me terapi të vetërregulluara brenda trupit.









