Zvarritja e proceseve politike dhe vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore po e dëmtojnë seriozisht Kosovën në aspektin financiar dhe integrues. Sipas ekonomistëve dhe analistëve politikë, kjo situatë po e mban vendin jashtë përfitimit nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike.
Ata vlerësojnë se kriza aktuale është e paprecedentë dhe po pengon drejtpërdrejt agjendën euro-integruese të Kosovës, duke hapur njëkohësisht hapësirë për ndikime gjeopolitike që bien ndesh me orientimin euroatlantik të vendit.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka paralajmëruar se vonesat në krijimin e institucioneve të reja dhe procedimin e marrëveshjeve në Kuvend po rrezikojnë humbje serioze ekonomike dhe investuese. Ai ka theksuar se Kosova tashmë ka përjetuar pasoja të ngjashme edhe gjatë vitit të kaluar.
“Ne veç kemi një përvojë jo të mirë prej vitit të kaluar dhe një pjesë fatkeqësisht është humbë. Neve nëse nuk tregohemi vigjilentë dhe që t’i krijojmë institucionet konform, në përputhje me afatet edhe kushtet ligjore dhe kushtetuese, atëherë vërtet vendi do të rrezikojë humbje të shumë. dhe jo vetëm aq po ka edhe shumë procese të tjera që duhet të ndodhin në vendin tonë. Ju e dini edhe miratimi i buxhetit dhe shumë shumë veprime të tjera që duhet të ndërmerren. Mirë tash jemi në një fazë kur kemi procesin e parashtrimit të ankesave nga palët që mund të ankohen e kështu me radhë, ju e dini që zgjati pak pjesa e rinumërimit të votave. Megjithatë mund të përgjigjem, mund të them që po, do të thotë një vonesë e tillë mund të shkaktojë edhe dëme të tjera”, tha ai.
Ujkani theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të dërgohen sa më shpejt për miratim në Kuvend, menjëherë pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.









