Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka reaguar pas debatit të krijuar rreth paraqitjes së logove të komunave në platformën digjitale E-Komunat, duke theksuar se bëhet fjalë për një proces teknik dhe administrativ, e jo për ndonjë ndryshim politik apo institucional.
Sqarimi vjen pasi komunat në veri të vendit kanë shfaqur logo me elemente serbe në platformë, çka ka nxitur reagime publike.
Sipas MAPL-së, gjatë fazës së parë të funksionalizimit të platformës në vitin 2023, të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë prezantuar me logot zyrtare që ishin në fuqi në atë periudhë, përfshirë Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Ministria njofton se këto katër komuna kanë miratuar logo të reja gjatë vitit 2025 dhe aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përditësimit të tyre në platformën E-Komunat, në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
“Për qëllim sqarimi, njoftojmë publikun se të gjitha logot zyrtare të komunave do të përditësohen dhe pasqyrohen në profilet përkatëse të secilës komunë, në përputhje me vendimet zyrtare dhe standardet institucionale” deklaron MAPL-ja.







