Kosova ka qenë e pranishme në skenën më të madhe të sporteve dimërore, teksa flamuri shtetëror u valëvit në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, duke shënuar një moment tjetër domethënës për sportin kosovar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një reagimi publik, ka shprehur krenarinë dhe mbështetjen për përfaqësimin e vendit në këtë ngjarje globale, duke vënë në pah rolin e sportistëve kosovarë që po garojnë në këto lojëra.
“Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj, dy skitarët tanë, përfaqësojnë Kosovën me dinjitet, guxim dhe ëndrra të mëdha. Kosova është me ju, sot, nesër dhe gjithmonë! Ju priftë fati e u kthefshin faqebardhë!”, ka shkruar Osmani.
Pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pranisë ndërkombëtare të sportit kosovar, duke dëshmuar vazhdimësi dhe përfaqësim dinjitoz në ngjarjet më prestigjioze sportive në botë.









