Pas reagimeve të shumta nga përdoruesit, Google po përgatitet të rikthejë një veçori të rëndësishme në aplikacionin e saj të mesazheve. Funksioni, i cili ishte hequr në një përditësim të mëparshëm, pritet të kthehet me përmirësime të reja.
Bëhet fjalë për opsionin e historikut të ndryshimeve të mesazheve (Edit History), që u mundëson përdoruesve të shohin versionet e mëparshme të një mesazhi të redaktuar. Kjo veçori kishte shërbyer si element kyç për transparencë në komunikim, veçanërisht në bisedat përmes RCS.
Heqja e këtij funksioni në një nga përditësimet e fundit kishte shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e përdoruesve të aplikacionit Google Messages.
Sipas informacioneve të zbuluara nga analiza e kodit të versionit më të ri të aplikacionit, Google ka nisur tashmë punën për rikthimin e kësaj veçorie.
Me përditësimin e ardhshëm, përdoruesit do të kenë mundësi të shohin të gjitha ndryshimet e bëra në një mesazh përmes seksionit “Info”, ku do të shfaqen teksti origjinal, redaktimet pasuese dhe koha kur janë realizuar ato.
Ky hap pritet të ndikojë pozitivisht në besueshmërinë dhe qartësinë e komunikimit përmes mesazheve RCS, duke parandaluar ndryshimet e përmbajtjes pa gjurmë të dukshme.
Aktualisht, funksioni ndodhet në fazë testimi dhe pritet të jetë fillimisht i disponueshëm për përdoruesit e versionit beta, për t’u shpërndarë më pas edhe për publikun e gjerë.








