Dallimet gjinore në shëndetin e zemrës po rezultojnë më të theksuara sesa është menduar deri më tani. Një studim i fundit sjell të dhëna të reja që tregojnë se burrat përballen me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare në një moshë dukshëm më të re krahasuar me gratë.
Studimi, i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, tregon se 5% e burrave zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare rreth shtatë vjet më herët sesa gratë. Sipas të dhënave, kjo përqindje arrihet te burrat në moshën 50.5 vjeç, ndërsa te gratë vetëm në moshën 57.5 vjeç. Diferencat mes gjinive fillojnë të vërehen që nga mosha 35 vjeç.
Autorët e studimit sugjerojnë që dekada e tretë e jetës të konsiderohet si periudha më e përshtatshme për “screening dhe detektim më intensiv” te burrat, me qëllim identifikimin e hershëm të rreziqeve kardiovaskulare.
Prej kohësh është vërejtur se burrat preken nga sëmundja koronare e zemrës rreth 10 vjet më herët se gratë, megjithatë deri tani ka pasur pak studime që analizojnë dallimet gjinore në sëmundje të tjera të zemrës, si dështimi i zemrës apo goditjet në tru.
Për të kuptuar më mirë ndikimin e faktorëve të stilit të jetës, studiuesit përdorën të dhënat nga studimi “CARDIA (Coronary Artery Risk Development in Young Adults)”, ku 5,112 persona të moshës 18 deri në 30 vjeç u ndoqën për më shumë se 30 vjet.
Objektivat kryesore të studimit përfshinin analizimin e dallimeve gjinore në moshën e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare të hershme, nën moshën 65 vjeç, vlerësimin e normave të ngjarjeve kardiovaskulare gjatë dhjetë viteve të para të jetës adulte për burrat dhe gratë, si dhe shqyrtimin e ndikimit të faktorëve si duhanpirja dhe aktiviteti fizik në këto diferenca.
Gjetjet e studimit theksojnë rëndësinë e ndërhyrjeve të hershme te burrat për parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe sugjerojnë se ndryshimet në stilin e jetës mund të luajnë një rol kyç në reduktimin e diferencave gjinore të rrezikut kardiovaskular.









