Në kryeqytet është prezantuar botimi më i fundit i studiuesit Luan Tashi, me titullin “Ali Pashë Tepelena në artin botëror – Pararendës i Pavarësisë Shqiptare”. Aktiviteti u mbajt në librarinë “Dukagjini”, në sheshin “Nënë Tereza”, duke mbledhur studiues, dashamirë të librit dhe të historisë shqiptare.
Ky libër është vepra e dytë e autorit, pas botimit “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”, dhe konsiderohet një kontribut i çmuar në fushën e studimeve historike, kulturore dhe ikonografike shqiptare.
Në libër, Tashi trajton figurën e Ali Pashë Tepelenës përmes paraqitjes së tij në artin botëror, duke analizuar piktura, gravura, ilustrime dhe materiale ikonografike të nxjerra nga arkiva të ndryshme evropiane. Autori ndalet në mënyrën se si Ali Pasha është perceptuar, interpretuar dhe mitizuar nga artistë dhe udhëtarë të huaj ndër shekuj, duke e paraqitur atë jo vetëm si figurë historike, por edhe si simbol me peshë politike dhe kulturore.
Në panelin e promovimit folën Prof. Dr. Durim Abdullahu dhe Prof. Zake Prelvukaj, të cilët theksuan rëndësinë e veprës dhe qasjen e autorit në ndërthurjen e historisë me artin.
Gjatë promovimit, të pranishmit patën mundësi të bashkëbisedojnë me autorin dhe të diskutojnë temat që trajton libri, duke e kthyer ngjarjen në një mbrëmje reflektimi kulturor dhe historik.









