Gjykata ka vendosur që Hashim Thaçi të mbetet në paraburgim edhe më tej në kuadër të rastit ku ai, së bashku me disa persona të tjerë, akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Vendimi është marrë më 3 shkurt 2026 nga gjyqtari i vetëm i çështjes, Christoph Gosnell.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ekziston rrezik real që, në rast lirimi, Thaçi mund të ndikojë në ecurinë e procedurës gjyqësore apo të kryejë vepra të tjera penale, çka ka qenë bazë për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ndërkohë, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë është caktuar të fillojë më 27 shkurt 2026.
Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po gjykohet për krime lufte. Përveç këtij procesi, ndaj tij gjatë vitit të kaluar është ngritur edhe aktakuza për pengim të administrimit të drejtësisë.
Lidhur me këtë rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë arrestuar më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe një ditë më pas janë transferuar në objektin e paraburgimit të DHSK-së, bazuar në aktakuzën e konfirmuar dhe fletarrestimet e lëshuara nga Haga.
Thaçit fletarrestimi i është dorëzuar më 5 dhjetor 2024 brenda objektit të paraburgimit në Hagë, sipas njoftimit të DHSK-së. Ndërsa Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për paraqitjen e parë para gjykatëses së procedurës paraprake, e cila është mbajtur më 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi, individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me disa grupe – Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupi Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupi Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu) – ka ndjekur një model sjelljeje me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.
Në aktakuzë theksohet se Thaçi ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave në objektet e paraburgimit, gjatë kohës sa ishte i ndaluar në kuadër të procesit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Po ashtu, thuhet se anëtarët e Grupeve Fazliu, Smakaj dhe Kilaj janë koordinuar për të ndikuar dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të mbajtura më 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si pasojë, ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkohë, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Hajredin Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake, ndërsa dosjen për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu.







