Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar nevojën për hapa të shpejtë institucionalë, duke bërë të ditur se po zhvillohen përgatitje për konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë së re.
Sipas tij, urgjenca lidhet drejtpërdrejt me miratimin e buxhetit dhe disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat duhet të kalojnë në Kuvend. Kurti theksoi se buxheti i Republikës duhet të përmbyllet brenda muajit shkurt, pasi funksionimi me 1 të 12-n e buxhetit nuk mund të vazhdojë edhe në muajin mars.
“Ne po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin e sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe Panin e Rritjes me Bashkimin Evropian që është 882,6 milionë euro, e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar atë që më së shumti e kemi përgjegjësi e obligim, por do të thosha edhe preferencë e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që më 1 të 12 Qeveria mund të vazhdojë vetëm edhe në muajin shkurt, për muajin mars nuk mund të vazhdojmë kësisoj , kështu që në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur buxhetin e vitit 2026”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se përbërja e kabinetit të ri qeveritar do të mbështetet kryesisht në emrat e propozuar më herët, kur gjatë mandatit të kaluar nuk kishte arritur të formohej Qeveria, por shtoi se do të ketë edhe ndryshime.
“Do të ketë shumë prej emrave, të cilët tashmë i kam prezantuar edhe unë, edhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identik, do të ketë edhe emra të tjerë”, tha ai.
Duke folur për çështjen e presidentit të shtetit, Kurti u shpreh se aktualisht fokusi mbetet te përmbyllja e këtyre proceseve kryesore, ndërsa më pas do të pasohet edhe hapi i radhës.
“Njëherë t’i përmbyllim këta tre hapa e pastaj do të ecim edhe me hapin e katërt mbarë e mirë”, u shpreh Kurti.







