Në skenën kulturore kosovare ka ardhur një botim i ri me rëndësi të veçantë për artin bashkëkohor. Nga shtypi ka dalë libri më i fundit i autorit Ilir Muharremi, i titulluar “Arti konceptual në Kosovë”, i cili paraqet një studim të thelluar mbi zhvillimin e këtij rrymi artistik në vend.
Ky botim është libri i parë që dokumenton në mënyrë sistematike dhe kritike artin konceptual në Kosovë për periudhën 2000–2025. Studimi konsiderohet hulumtimi më gjithëpërfshirës deri më tani mbi praktikën konceptuale, duke përfshirë si traditën e artistëve konceptualë, ashtu edhe zhvillimet neo-konceptuale.
Monografia përmban studime rasti dhe analiza të detajuara të veprave artistike, përmes të cilave pasqyrohet evolucioni dhe dinamika e praktikave artistike në Kosovë. Përveç dokumentimit në nivel lokal, autori i vendos këto praktika në një kontekst më të gjerë rajonal dhe teorik, duke ofruar krahasime dhe interpretime historike që ndihmojnë në kuptimin e pozicionit të artit konceptual kosovar brenda artit bashkëkohor ballkanik.
Libri bazohet në një qasje të kombinuar teoriko-empirike, duke përfshirë hulumtim arkivor, material ilustrativ dhe analizë kritike të veprave artistike. Me këtë qasje, botimi synon të shërbejë si burim i rëndësishëm referues për studentë, pedagogë, kuratorë dhe studiues të artit bashkëkohor.









