Prokuroria Themelore në Pejë ka vënë në lëvizje mekanizmat hetimorë lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike, pas dyshimeve për parregullsi gjatë këtij procesi.
Me autorizim të Prokurorisë, Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë kanë nisur nga sot intervistimin e komisionarëve, me qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me dyshimet për keqpërdorime gjatë numërimit të votave të kandidatëve.
Autorizimi fillestar për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj. Ndërkohë, veprimet e mëtejshme hetimore po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për të sqaruar plotësisht rastin dhe për të identifikuar përgjegjësit eventualë.







