Pas gjashtë vitesh pune intensive dhe përkushtimi të plotë, kaligrafi irakian Ali Zaman ka përmbyllur një projekt unik artistik dhe fetar: një dorëshkrim monumental të Kuranit, i realizuar tërësisht me dorë dhe i konsideruar ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji.
Vepra përbëhet nga 302 rrotulla të shkruara në të dyja anët, secila me gjatësi 4 metra dhe gjerësi 1.5 metra. Fletët, që i ngjajnë pergamenës së trashë, janë prodhuar posaçërisht për këtë projekt, duke përdorur një përzierje materialesh tradicionale si vezë, niseshte misri dhe shap.
“Sa herë që mendoj për këtë Kuran… më jep një ndjenjë shumë të bukur që Zoti i Madh më dha jetën për të qenë në gjendje ta përfundoja këtë vepër. Ndihem shumë krenar”, ka thënë 54-vjeçari për Associated Press në një xhami në Stamboll, ku ruhet dorëshkrimi.
Kaligrafia islame njihet si një nga format më të çmuara të artit në botën myslimane, e cila historikisht ka shërbyer për ruajtjen dhe zbukurimin e librit të shenjtë të Islamit, si dhe për dekorimin e xhamive dhe pallateve.
Në Turqi, kjo traditë artistike njohu zhvillim të madh gjatë periudhës osmane, kur mbështetej nga shteti dhe kaligrafët krijuan stile të veçanta dhe të dallueshme.
Sot, Stambolli konsiderohet një qendër kryesore e këtij arti, i njohur në turqisht si “hat”.
Eksperti i artit Umit Coskunsu ka shpjeguar se, për shkak të kufizimeve në traditën islame për paraqitjen e figurave njerëzore, kaligrafia u shndërrua në një formë qendrore të shprehjes artistike, duke e cilësuar “hat”-in si një akt adhurimi.
“Arti i hat-it nuk është thjesht kaligrafi; ai shihet si një mënyrë për të adhuruar Zotin dhe për t’iu afruar Atij”, është shprehur Coskunsu.
Ali Zaman ka lindur në Ranya, në rajonin gjysmë-autonom kurd në veri të Irakut. Në vitin 2017, ai vendosi të zhvendosë familjen në Stamboll për t’iu përkushtuar projektit të Kuranit dhe për të thelluar mjeshtërinë e tij, duke theksuar se arti i kaligrafisë vlerësohet më shumë në Turqi sesa në vendlindjen e tij.
Ai tregon se interesimi për kaligrafinë islame i lindi rreth moshës 12-vjeçare, kur u njoh për herë të parë me këtë art në Irak.
“Arti i kaligrafisë ishte shumë tërheqës për mua… ndjeja se mund ta gjeja shpirtin tim në të”, shtoi ai.
Çdo fletë e dorëshkrimit është shkruar tërësisht me dorë. Zaman thotë se ka punuar nga agimi deri në muzg për gjashtë vite rresht, në një dhomë të vogël të rezervuar për të në Xhaminë “Mihrimah Sultan” në Stamboll.
Dorëshkrimi po promovohet si Kurani më i madh në botë, megjithëse ende nuk ka marrë njohje zyrtare. Sipas “Guinness World Records”, Kurani më i madh i shtypur u realizua nga Muzeu i Kuranit të Shenjtë në Mekë, Arabinë Saudite, në mars të vitit 2025.
I biri i tij kujton sakrificat familjare gjatë realizimit të projektit.
“E shihnim vetëm kur i sillnim ushqim ose kur kthehej në shtëpi natën për të fjetur”, ka treguar Rekar Zaman. “Falë Zotit, tani e shohim më shpesh”.
Aktualisht, dorëshkrimi ruhet në rrotulla të vendosura njëra mbi tjetrën dhe i mbuluar me kujdes për t’u mbrojtur nga pluhuri dhe lagështia, në xhaminë ku u krijua.
Dëshira përfundimtare e Ali Zamanit është që kjo vepër t’i kalojë një blerësi që mund ta ekspozojë publikisht.
“Dua që ky Kuran të jetë në një vend – në një muze ose në një hapësirë të veçantë për kaligrafinë – ku të mund të vlerësohet dhe të çmohet”, u shpreh Zaman.









