Tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë ndërmarrë edhe një herë hapa formalë për t’u shkëputur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke rikthyer në fokus çështjen e organizimit institucional të komunave me shumicë serbe.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë votuar të premten për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, me arsyetimin se synojnë të jenë pjesë e një asociacioni të veçantë të komunave me shumicë serbe në vend. Ky është votimi i dytë për të njëjtën çështje, pas atij të mbajtur më 18 dhjetor të vitit të kaluar.
Votimi i dhjetorit ishte shpallur i paligjshëm nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, për shkak të parregullsive procedurale. Sipas tij, propozimi ishte bërë nga kryetarët e komunave, gjë që bie ndesh me legjislacionin në fuqi.
“Kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (neni 47.2), i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave në rendin e ditës gjatë seancës, dhe atë vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook pas votimit të dhjetorit.
Ai kishte kritikuar Listën Serbe, duke thënë se përmes këtij veprimi po synohej “nxitja e ndasive ndërmjet komuniteteve, përçarjen, mosbesimin dhe tensionet, duke treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me komunat e tjera në kuadër të Asociacionit”.
Vendimi i ri i miratuar të premten pritet t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për miratim, pasi kjo ministri është organi kryesor mbikëqyrës i komunave.
Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pas dorëheqjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022. Dorëheqjet ishin pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për braktisjen e institucioneve të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Gjatë udhëheqjes nga kryetarët shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës në verën e vitit 2023. Ky asociacion funksionon si organizatë joqeveritare, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të komunave anëtare.
Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe këtë anëtarësim, duke e cilësuar vendimin si të paligjshëm dhe jo në interes të qytetarëve. Reagim kishte pasur edhe nga presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, i cili kishte deklaruar se komunat me shumicë serbe duhet të jenë pjesë e një asociacioni të veçantë të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia janë pajtuar disa herë gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, Kosova ende nuk ka ndërmarrë hapa për themelimin e këtij asociacioni, pavarësisht trysnisë së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare.







