Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rritur ndjeshëm praninë e saj financiare në Kosovë gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë të investimeve deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare, vlera totale e investimeve ka kapur shumën prej 117.3 milionë eurosh, duke tejkaluar shifrën prej 113 milionë eurosh të realizuar në vitin paraprak.
Gjatë këtij viti, investimet janë realizuar përmes 28 projekteve, me fokus të veçantë në projektet e gjelbra dhe ato që përfshijnë komponentin gjinor. BERZH ka bërë të ditur se një pjesë e rëndësishme e këtyre fondeve është orientuar edhe drejt bashkëpunimeve ndërkufitare.
Në kuadër të këtyre angazhimeve, janë realizuar dy transaksione ndërkombëtare, përfshirë edhe transaksionin më të madh privat të BERZH-it në Kosovë deri më tani: një hua prej 25 milionë eurosh për zgjerimin e Viva Fresh në Shqipëri përmes blerjes së SPAR Albania, si dhe një hua tjetër prej 13 milionë eurosh për kompaninë Speeex për blerjen e tri kompanive zvicerane. Këto investime, sipas BERZH-it, dëshmojnë angazhimin për nxitjen e integrimit rajonal dhe zgjerimin ndërkombëtar të bizneseve kosovare.
Pjesa më e madhe e fondeve është kanalizuar drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmes bashkëpunimit me bankat lokale. Kjo është bërë duke kombinuar programe të reja, si Programi GOLD për financimin e projekteve të gjelbra dhe Programi për Kalim në Digjital, me iniciativa ekzistuese si Programi për NVM të Gjelbra, Programi për Gratë në Biznes dhe Rininë në Biznes. Këto linja kreditimi kanë pasur për qëllim forcimin e reziliencës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së NVM-ve në të gjithë Kosovën.
Në të njëjtën kohë, BERZH ka nënshkruar katër marrëveshje huadhënie me kompani kryesuese në vend, për të mbështetur investime kapitale në sektorë strategjikë. Këto marrëveshje përfshijnë kompanitë Royal Beverage, Relux, Front dhe Kema Pack.
Në aspektin e politikave zhvillimore, BERZH ka vazhduar mbështetjen për institucionet qeveritare dhe organet rregullatore, duke ndihmuar në krijimin e mekanizmave mbështetës për energjinë e ripërtërishme dhe në avancimin e planifikimit të infrastrukturës. Kjo përfshin studime të fizibilitetit për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Mitrovicë dhe Programin për Përmirësimin e Autobusëve të Qyteteve Rajonale.
BERZH vazhdon të mbetet investitori kryesor institucional në Kosovë, me afro 900 milionë euro të investuara në gjithsej 146 projekte deri në fund të vitit 2025.









