Viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila paralajmëron rikthimin në objektin e saj qendror pas restaurimit dhe një program të zgjeruar artistik me dhjetë ekspozita.
Institucioni ka bërë të ditur se rihapja do të ndodhë pas përfundimit të punimeve renovuese, të cilat kapin vlerën 1.4 milion euro dhe kanë nisur në maj të vitit të kaluar, periudhë gjatë së cilës programi është zhvilluar në hapësira alternative, përfshirë “Galerinë e vogël”.
Nëpërmjet një njoftimi për media, GKK-ja ka theksuar se programi për vitin 2026 synon të adresojë çështje bashkëkohore si gjinia, klasa, migrimi dhe raporti me të kaluarën, duke e cilësuar këtë vit si një fazë të re zhvillimi institucional, jo vetëm në aspektin fizik, “por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të rikonfiguruar dhe sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shënuar fillimet dhe zhvillimin e tij”.
“Pas një viti pune intensive, objekti qendror i GKK-së do të rihapet me hapësira të rinovuara ekspozuese dhe një hapësirë të re të përkushtuar për ruajtjen e koleksionit dhe arkivave…”, shkruhet në njoftim, ku bëhet e ditur se rihapja do të inaugurohet me një ekspozitë grupore nga koleksioni i GKK-së dhe artistë të rinj bashkëkohorë, e kuruar nga Hana Halilaj.
Programi në objektin qendror do të vazhdojë me dy ekspozita personale: retrospektivën e akademik Xhevdet Xhafës dhe ekspozitën personale të Doruntina Kastratit.
“Ekspozita e Xhevdet Xhafës është duke u zhvilluar që nga viti i kaluar…”, thuhet në njoftim, ndërsa për Doruntina Kastratin theksohet se pas suksesit në Bienalen e Venecias 2025, GKK prezanton ekspozitën e kuruar nga Natasa Petrešin-Bachelez.
“Ekspozita sjell një përzgjedhje të veprave të saj të mëparshme…”, thuhet më tej në njoftim.
Në program rikthehet edhe edicioni i 15-të i ekspozitës ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”, e bashkëkuruar nga May Makki dhe Ana Janevski.
“Ekspozita do të zhvillohet në formatin e thirrjes së hapur për artistë nga Kosova dhe rajoni…”, bëhet e ditur në njoftim.
Në hapësirën GKK-QAFA, për herë të parë do të prezantohen me ekspozita personale artistet Bora Baboçi, Laureta Hajrullahu, Albe Hamiti, Anita Muçolli dhe Stephanie Rizaj, si dhe do të zhvillohet edicioni i dytë i programit “Shtëpi” në bashkëpunim me Cité Internationale des Arts.
Pjesë e programit janë edhe projekte kërkimore dhe edukative, përfshirë “Punk, Fotografi, Video dhe Arkiva Vizuale në vitet 1980: Sllovenia dhe Kosova”.
“Projekti do të hulumtojë politikat e vizuales në Jugosllavinë socialiste të vonë…”, shkruhet në komunikatë.
Programi është miratuar nga Këshilli Drejtues i GKK-së, ndërsa për vitin 2026 nuk parashihet blerje e veprave të reja artistike, pasi institucioni nuk do t’i rikthehet kësaj praktike as këtë vit.









