Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur një kërkesë në Policinë e Kosovës, duke kërkuar nisjen e hetimeve për kontratën prej 950 mijë eurosh të Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave. Sipas LVV-së, kontrata është negociuar pa njoftim paraprak dhe ka dyshime për mosrespektim të ligjeve në fuqi.
Asamblisti i LVV-së, Çlirim Gërbeshi, ka theksuar se procesi paraprak i lidhjes së kontratës tregon indicie serioze, për të cilat kërkohet vlerësim nga institucionet kompetente.
“Ne kemi dorëzuar kërkesën në Policinë e Kosovës për të hetuar kontratën e komunës për menaxhimin e mbeturinave, e cila sipas vlerësimit tonë është në kundërshtim me rregullat ligjore. Çdo devijim nga transparenca dhe ligjshmëria duhet të marrë përgjigje ligjore. Qytetarët e Prishtinës meritojnë qeverisje të ndershme, jo marrëveshje të dyshimta që dëmtojnë interesin publik”, ka shkruar Gërbeshi në Facebook.
Kontrata përfshin shërbimet e grumbullimit, transportimit dhe deponimit të mbeturinave dhe është shpallur përmes një procedure të negociuar pa publikim paraprak të njoftimit të kontratës. Sipas LVV-së, kjo krijon hapësirë për shqetësime ligjore dhe kërkon hetim institucional.







