Shqiptarët po martohen gjithnjë e më pak dhe po ndahen gjithnjë e më shumë. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se numri i martesave ka rënë në nivelin më të ulët historik, ndërsa divorcet kanë arritur shifra rekord.
Sipas INSTAT dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, gjatë vitit 2024 një në tre martesa ka përfunduar në divorc. Në të njëjtin vit u regjistruan vetëm 16 120 martesa, gati gjysma e nivelit të fillimit të viteve ’90, kur shifra ishte rreth 29 mijë në vit.
Rënia e martesave ka nisur pas vitit 2004 dhe është përshpejtuar ndjeshëm pas vitit 2019. Edhe pandemia e thelloi këtë trend, por ulja ka vazhduar edhe pas saj, duke reflektuar ndryshime të thella sociale, emigracionin e të rinjve dhe hezitimin për të formalizuar lidhjet në martesë.
Në të kundërt, divorcet kanë shënuar rritje të vazhdueshme. Në vitin 2024 u regjistrua një rekord absolut prej 29.8 divorceve për çdo 1 000 martesa, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vend.
Sociologu Gëzim Tushi vlerëson se sot shqiptarët janë më të pavarur ekonomikisht, më të ekspozuar ndaj ndikimeve ndërkombëtare dhe më të fokusuar te mirëqenia personale, çka ka ndryshuar mënyrën se si e shohin jetën në çift.
Ekspertë të fushës theksojnë se urbanizimi, emigracioni, presioni ekonomik dhe ndryshimi i normave sociale janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë realitet. Ndërkohë, avokatja Nexhi Beqiri thekson se shumica e divorceve vijnë nga çifte në të 40-at dhe shoqërohen kryesisht me konflikte mbi pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve.







