Komuna e Kamenicës ka njoftuar banorët për reshje intensive shiu që priten të fillojnë të martën, më 27 janar 2026, nga ora 12:00, sipas parashikimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Këto reshje mund të shkaktojnë rritje të nivelit të ujit dhe vërshime lokale.
Zonat më të rrezikuara identifikohen pranë lumit Kriva Reka, i njohur edhe si Lumi i Shtrembër, në pellgun e Moravës së Binçës. Instituti ka vlerësuar nivelin e rrezikut si nivel 2, që nënkupton rrezik të moderuar.
Komuna ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, sidomos për banorët që jetojnë pranë rrjedhave ujore dhe zonave të ulëta. Po ashtu, shërbimet komunale janë në gatishmëri dhe do të reagojnë menjëherë për çdo situatë eventuale që mund të ndodhë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.







