Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer shkatërrimin e materialeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, duke respektuar afatet ligjore dhe përjashtuar dokumentet që janë nën hetim nga Prokuroria dhe gjykatat.
Në një përgjigje për institucionet mediale, KQZ tha se “Me qëllim të zbatimit të ligjit, KQZ-ja, brenda afatit ligjor, ka shkatërruar materialet zgjedhore të zgjedhjeve lokale 2025. Nga ky proces janë përjashtuar materialet e vendvotimeve, të cilat, Prokuroria e Shtetit dhe gjykatat, janë duke i trajtuar. Gjithashtu, siç parashihet me ligj, KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale 2025, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe pas vendosjes nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme për ankesat e kandidatëve dhe subjekteve.”
Ndërkohë, kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në KQZ, duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese mbi procesin zgjedhor, përfshirë mundësinë e rinumërimit të votave.
Fazliu gjithashtu shprehu dyshime për asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se nuk ka gjetur asnjë njoftim zyrtar nga KQZ-ja. “Para se me fillua kam hulumtuar faqen e KQ-së, askund nuk kam parë një njoftim zyrtar nga KQZ-ja që janë asgjësuar fletëvotimet. Unë dëgjova që janë asgjësua, por nuk ka diçka zyrtare”, deklaroi ai.







