Një detaj që shpesh neglizhohet gjatë matjes së tensionit të gjakut mund të ndikojë drejtpërdrejt në saktësinë e rezultatit. Sipas mjekëve, pozicioni i dorës gjatë matjes është vendimtar dhe çdo devijim nga udhëzimet mund të prodhojë vlera të pasakta.
Nëse dora mbahet në një pozicion të gabuar, tensioni i gjakut mund të rezultojë më i lartë ose më i ulët sesa është në të vërtetë. Kjo mund të çojë në pasoja serioze: disa pacientë mund të marrin terapi të panevojshme për hipertension, ndërsa te të tjerë tensioni i lartë mund të mos zbulohet fare për shkak të matjeve të pasakta dhe monitorimit jo korrekt.

Si duhet të pozicionohet dora gjatë matjes së tensionit
Pozicionet e gabuara, por shumë të zakonshme, si mbajtja e dorës në prehër ose e varur përgjatë trupit, çojnë në rritje të dukshme të vlerave të tensionit të gjakut. Udhëzimet mjekësore rekomandojnë që dora të mbështetet mbi tavolinë dhe mesi i krahut të jetë në nivelin e zemrës. Ky pozicion ndihmon në shmangien e mbivlerësimit të tensionit, i cili mund të sjellë ndjekje dhe trajtime të panevojshme për pacientin.
Matjet jashtë këtyre udhëzimeve ndodhin shpesh edhe në kujdesin shëndetësor parësor, kryesisht për shkak të ngarkesës dhe nxitimit, vëren dr. Donald DiPette, profesor i shkencave mjekësore në University of South Carolina School of Medicine.
Dr. DiPette paralajmëron gjithashtu se pozicione të tjera të dorës, që nuk përputhen me udhëzimet, mund të çojnë në nënvlerësim të hipertensionit, duke rrezikuar që gjendja të mbetet e paidentifikuar.
“Do të dëshironim që matja e tensionit të gjakut të ketë të njëjtën saktësi si analizat e gjakut apo ekzaminimet imazherike. Për këtë arsye, nevojitet edukim si i punonjësve shëndetësorë, ashtu edhe i pacientëve, pasi shumë prej tyre e matin tensionin në shtëpi. Gjithashtu, është e këshillueshme që matja të përsëritet, sepse leximi i parë zakonisht jep vlera më të larta se matjet pasuese, gjë që është e kuptueshme, pasi personi gradualisht përshtatet me ambientin”, thekson dr. DiPette.
Pozicione të ndryshme të dorës, rezultate të ndryshme
Një studim i Shkollës së Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg School of Public Health në Baltimor, i publikuar në vitin 2024 në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, ka konfirmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të pozicionit të dorës në rezultatet e matjes.
Sipas studimit, mbajtja e dorës në prehër, krahasuar me dorën e mbështetur mbi tavolinë, e rrit presionin sistolik (të sipërmin) me 3,9 mmHg dhe presionin diastolik (të poshtmin) me 4 mmHg. Kur dora qëndron e varur përgjatë trupit, presioni i sipërm rritet me 6,5 mmHg, ndërsa ai i poshtmi me 4,4 mmHg.









