Viti 2025 ka shënuar një rekord të ri për ekonominë e Kosovës sa i përket tregtisë së jashtme. Për herë të parë, vlera e importeve ka tejkaluar pragun prej 7 miliardë eurosh, duke arritur në 7.11 miliardë, ndërsa eksporti ka shënuar 943 milionë euro. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Në një intervistë për emisionin ekskluzivisht ekonomik “Shtylla”, Llugaliu theksoi se kjo rritje përfaqëson nivelin më të lartë të importit të regjistruar ndonjëherë në vend, duke shënuar rritje të dukshme krahasuar me vitin paraprak.
“Tek importi janë produktet minerale, e kryesisht në këtë pjesë bëjnë pjesë me një sasi dominuese lëndët djegëse, derivatet që i përdorim për qëllime të ndryshme. Mandej janë mjetet e transportit si produkte të gatshme, makineritë, pajisjet mekanike, giza dhe çeliku, plastika dhe produktet e tyre sa i përket importit. Domethënë këto janë top 5 produktet që importohen në vendin tonë nga vlera. Ndërsa sa i përket eksportit, Kosova në pjesën dërmuese të produkteve që mbizotërojnë janë metalet bazë dhe artikujt me metale bazë, plastika dhe artikujt prej tyre, ushqimet e përgatitura, pijet, alkooli dhe duhani, artikuj të ndryshëm të prodhuar siç janë mobiliet, si dhe produktet minerale, xehet në përgjithësi”, potencon ai.
Sipas Llugaliut, kjo dinamikë ka reflektuar drejtpërdrejt edhe në të hyrat buxhetore të vendit. Ai bëri të ditur se Dogana e Kosovës gjatë vitit të kaluar ka arritur të sigurojë 1 miliard e 668 milionë euro të hyra për buxhetin e shtetit, që përbën rritje prej rreth 8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
“Dogana dhe vitin që lamë pas ka vazhduar me një performancë të kënaqshme, duke arritur kështu të sigurojmë të hyra për buxhetin e Kosovës në shumën prej 1 miliard e 668 milionë. Kjo përbën afër 8 për qind rritje më shumë sesa viti paraprak, të cilin vit kemi pasur 1 miliard e 832 milionë”.
Ai theksoi se zbatimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, Turqinë dhe së fundmi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndikuar në rritjen e taksave të liruara, të cilat kanë pasur efekt negativ në shumën e përgjithshme të mbledhur nga Dogana. Sipas tij, kjo shumë ka qenë rreth 425 milionë euro për vitin 2024, ose 48 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Duke folur për pritshmëritë për vitin aktual, Llugaliu u shpreh optimist se trendi pozitiv do të vazhdojë, për aq kohë sa nuk ka tronditje të mëdha ekonomike në nivel lokal apo global.
“Ne presim të kemi një performancë të ngjashme. Besoj që ne do të vijojmë që të kemi një rritje të trendit të hyrave në këto përmasa, nëse aspektet që ndikojnë ekonominë në nivel lokal po edhe në nivel global nuk paraqesin ndonjë të papritur të madhe që mund me ndiku tek aspektet ekonomike. Përndryshe, vlen me e cek se me gjithë atë suksesin që ne kemi arritur, është shumë e rëndësishme që gati 98% e të hyrave që ne i mbledhim vijnë nga deklarimet që i bëjnë vetë bizneset, domethënë deklarime vullnetare. Është vetëm 2.4 për qind pjesa e mbetur e të hyrave që mblidhen nga shumat që dogana në bazë të veprimeve, informatave, rivlerësimeve që i ndërmerr, i siguron si të hyra shtesë në buxhetin vjetor”, nënvizon Llugaliu.
Ai vlerësoi se edhe eksporti, ndonëse dukshëm më i ulët se importi, nuk është në nivel shqetësues dhe ka shënuar rritje si në sasi ashtu edhe në vlerë.
“Gjatë vitit 2025 kemi pasur eksport prej rreth 943 milionë euro, ndërsa sa i përket importit, importi ka qenë në shumën prej 7.11 miliardë euro… Po, në vitin paraprak ka qenë diku 6.35 miliardë euro. Pra është një dinamikë e rritjes pothuajse normale vit për vit që është pak a shumë krahas edhe rritjes ekonomike që bën vendi… Në fakt janë rritur të dyjat (sasia dhe vlera), për shkak se edhe tek pjesa e produkteve që në treguesin tonë është pesha si masë matëse, kemi edhe aty një rritje të theksuar”, thotë Llugaliu.
Megjithatë, drejtori i Doganës pranon se mbetet ende shumë punë për t’u bërë në mënyrë që eksporti i Kosovës të rritet dhe të afrohet më shumë me nivelin e importit.









