Një ngjarje krejt e pazakontë ka ndodhur së fundmi në Kinë, duke u shndërruar shpejt në sensacion në rrjetet sociale dhe duke habitur jo vetëm komunitetin lokal, por edhe publikun më gjerë.
Bëhet fjalë për një dasmë që doli jashtë çdo norme të zakonshme, jo për shkak të madhështisë apo organizimit, por për shkak të lidhjeve të rralla familjare mes të porsamartuarve. Dy vëllezër binjakë vendosën t’i thonë “po” dy motrave binjake, duke krijuar një kombinim familjar thuajse unik.
Surpriza nuk mbaroi me kaq. Ajo që e bëri këtë histori edhe më të veçantë ishte fakti se të dy familjet kishin gjithashtu xhaxhallarë binjakë. Sipas raportimeve, vetë çiftet e reja e mësuan këtë detaj të rrallë pikërisht ditën e dasmës.
Zyrtari që drejtoi ceremoninë e përshkroi ngjarjen si diçka të mrekullueshme, ndërsa të ftuarit mbetën të mahnitur dhe të gëzuar nga ajo që po përjetonin.
Një banor i zonës u shpreh se, në më shumë se 60 vite jetë, nuk kishte parë kurrë një skenë të tillë dhe u uroi dy çifteve një të ardhme të lumtur dhe të begatë.









