Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka pranuar një ftesë personale nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e iniciuar nga SHBA-ja, në të cilën Kosova është përzgjedhur si një nga shtetet anëtare themeluese.
Në një deklarim për media, Osmani theksoi se ky zhvillim përfaqëson një moment historik për Kosovën, duke qenë se bëhet fjalë për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare të themeluar nga SHBA-ja dhe me përfshirje që nga faza fillestare.
“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Kosovën. Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga SHBA-ja. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA-ja kanë përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës”, tha Osmani.
Presidentja u shpreh e bindur se kjo iniciativë ka potencial të shndërrohet në një nga organizatat më të suksesshme të kohëve moderne, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me udhëheqjen amerikane.
“Dua ta përmend faktin se kam besim të plotë që kjo organizatë ndërkombëtare do të jetë një ndër organizatat më të suksesshme në historinë moderne të botës. Në radhë të parë për shkak të lidershipit të guximshëm dhe vizionit të presidentit Trump dhe SHBA. Dhe në radhë të dytë për shkak se bazohet në vlerat më fundamentale të njerëzimit, pra në rëndësinë e paqes për të arritur gjithçka tjetër, sepse pa paqe gjithçka tjetër është e pamundur për shtete, kombe dhe popuj. Prandaj me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, u shpreh ajo.
Osmani sqaroi gjithashtu se pjesëmarrja e Kosovës në këtë organizatë nuk përfshin detyrime financiare të detyrueshme dhe se çdo kontribut eventual mbetet në vullnetin e shteteve anëtare.
“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. U lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA-në. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës sonë në ndërtimin e paqes”, tha Osmani.
Sipas saj, përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë të rolit të vendit në shtetndërtim dhe paqe, si dhe një mundësi konkrete për të kontribuar në forcimin e stabilitetit dhe paqes në nivel global.







