Personi i dyshuar për një rast plagosjeje të ndodhur më 21 dhjetor në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj, është paraqitur vetë sot para autoriteteve policore.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj, duke shprehur gatishmërinë për t’u vetëdorëzuar.
“Pas kësaj, hetuesit rajonalë përgjegjës për rastin, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij”, njofton policia.
Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.







