Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Restelicë të Dragashit, ku në orët e para të së martës një burrë i moshës 30-vjeçare dyshohet se ka vrarë nënën e tij. I dyshuari, identifikuar me inicialet F.B., është arrestuar nga policia dhe është ndaluar për procedura të mëtejshme ligjore.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, rreth orës 01:06 Policia është njoftuar për një rast të vdekjes së dyshimtë. “Sipas informatave fillestare, dyshohet se një person mashkull, rreth 30 vjeç, e ka privuar nga jeta nënën e tij, rreth 60 vjeçe. I dyshuari, sipas të dhënave paraprake, ka pasur probleme të shëndetit mendor. Nga ekzaminimi fillestar në vendin e ngjarjes nuk është vërejtur mjeti me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa viktima ka pësuar disa lëndime në regjionin e kokës. Sektori Rajonal i Hetimeve, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmerr të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, tha Bytyqi.
Prokuroria Themelore në Prizren konfirmon se dyshohet se rasti ka ndodhur brenda familjes. Sipas të dhënave zyrtare, F.B. kishte pasur më parë çrregullime mendore dhe ishte i përfshirë në tre raste të mëparshme të dhunës në familje, të trajtuara nga Prokuroria e Prizrenit – një rast gjatë vitit 2024 dhe dy raste gjatë vitit 2021, për të cilat janë marrë aktgjykime dënuese.
“Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, njësitet relevante të Policisë, krim-teknika dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me qëllim zhvillimin e procedurave hetimore. Viktima është dërguar për obduksion në IML. Prokuroria po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të vdekjes”, njofton Prokuroria.
Ky rast tragjik rikthen vëmendjen te çështjet e shëndetit mendor dhe dhunës në familje, duke nënvizuar rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë nga autoritetet për parandalimin e tragjedive të tilla.







