Pas një ndalese të përkohshme për ndërhyrje teknike, Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë të ditur se Njësia A3 është kthyer sërish në operim të plotë.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përfundimit të të gjitha sanimeve dhe riparimeve të planifikuara, njësia është startuar dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik në orën 06:47, duke përmbushur të gjitha standardet operative dhe kriteret e sigurisë.
Me rikthimin e Njësisë A3, KEK sh.a. aktualisht është duke operuar me gjithsej pesë njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2. Sipas Korporatës, kjo gjendje operative siguron vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, për aq kohë sa e lejojnë parametrat operacionalë.
KEK-u ka vlerësuar punën e ekipeve teknike dhe menaxhuese, duke theksuar se ndërhyrjet preventive dhe riparimet e nevojshme janë realizuar me profesionalizëm dhe brenda afateve optimale.
Në njoftim po ashtu theksohet se Korporata Energjetike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj prodhimit të pandërprerë të energjisë elektrike, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik, me synim garantimin e furnizimit të sigurt për qytetarët e vendit.









