Mospërputhjet e mëdha të zbuluara gjatë rinumërimit të votave në disa komuna kanë hapur dyshime serioze për manipulim të organizuar të procesit zgjedhor, duke ngritur nevojën për hetime të thelluara penale.
Avokati Arbër Jashari ka theksuar se falsifikimi i rezultateve të votimit, për të cilin Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim deri në pesë vjet burgim, nuk duhet të mbetet përgjegjësi vetëm e numëruesve të votave, por të përfshijë edhe ata që kanë urdhëruar apo porositur manipulimet.
“Nga rezultatet e rinumërimit po shihet që ka një diskrepancë ose një mospërputhje të madhe të rezultateve mes atyre të numërimit dhe tash të rinumërimit, që ka rezultuar me një minus të madh të votave për disa kandidatë dhe që sipas bindjes tonë me të drejtë opinioni dyshon për një manipulim të madh të procesit të votimit. Është marrë Prokuroria në rajonin e Prizrenit dhe ka autorizuar policinë që të mbledhë informatat fillestare dhe më pas të marrë aktvendim për fillim të hetimeve dhe të hetojë këtë çështje deri në fund. Është marrë që përgjegjësit për këto manipulime të identifikohen dhe të dalin para drejtësisë”, tha Jashari.
Sipas tij, përgjegjësia penale nuk mund të kufizohet vetëm te komisionerët zgjedhorë.
“Nuk është e mjaftueshme të dënohen vetëm ata persona të cilët i kanë manipuluar këto rezultate, kur them manipuluar, them ata që i kanë numëruar votat, por duhet që para drejtësisë të vihen edhe personat e tjerë që i kanë urdhëruar ose i kanë porositur këto rezultate. Duke marrë parasysh se komisionerët ose zyrtarët kanë punuar për interes të dikujt, është e palogjikshme që vetëm këta të merren pra përgjegjësisë penale”, tha ai.
Jashari sqaroi se neni 216 i Kodit Penal të Kosovës parasheh dënim deri në pesë vjet burgim për falsifikimin e rezultateve të votimit, duke shtuar se hetimet duhet të përfshijnë edhe veprat e shtytjes në vepër penale, bashkëkryerjes apo korrupsionit, varësisht nga gjetjet e Prokurorisë.
“Ligji për këtë vepër penale ka paraparë dënim deri në 5 vite burgim, është neni 216 i Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh falsifikimin e rezultateve të votimit si vepër të veçantë penale. Mendoj që hetimet duhet të shtrihen edhe ndaj personave të cilët kanë porositur apo urdhëruar këto rezultate, mbetet në detyrën e Prokurorisë që t’i gjejnë mënyrat se si. Mendoj që edhe për personat të cilët janë urdhëruesit e këtyre manipulimeve ka elemente të mjaftueshme për veprën penale, shtytjen në vepër penale të falsifikimeve të rezultateve të votimit. Pra njëra prej formave të bashkëkryerjes së veprës penale ose ndonjë vepër penale siç është dhënia ose marrja e ryshfetit ose ndonjë vepër tjetër penale varësisht nga të gjeturat e Prokurorisë”, tha Jashari.
Prokuroria në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të siguruar prova, përfshirë nënshkrimet, pas dyshimeve për manipulim të votave në këtë komunë, ndërsa raste të ngjashme janë evidentuar edhe në komuna të tjera.
Rinumërimi ka nxjerrë në pah një model të ngjashëm manipulimi brenda listave zgjedhore, ku përfitimet kryesore kanë shkuar për kandidatët lokalë të secilës komunë. Si pasojë e këtyre ndryshimeve, është prekur edhe përbërja e Kuvendit.
Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, ka mbetur jashtë Kuvendit pasi pas rinumërimit i janë hequr 88 vota, duke ia humbur mandatin, i cili i ka kaluar Ergyl Mazrekut.
Prizreni rezulton komuna me mospërputhjet më të mëdha, ku me rinumërimin e rreth 98 për qind të kutive janë evidentuar mijëra vota të shtuara padrejtësisht te kandidatët e partive më të mëdha. Deri tani janë rinumëruar 556 nga gjithsej 914 vendvotime.







