Sot në Gjykatën Speciale në Hagë shënohet një hap kyç në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dorëzimin e dosjeve përfundimtare nga të gjitha palët në procedurë.
Prokuroria, përfaqësuesit e viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’ia dorëzojnë materialet përfundimtare trupit gjykues. Pas kësaj, mbetet vetëm mbajtja e fjalëve përfundimtare, të planifikuara nga 9 deri më 18 shkurt, me ç’rast procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe deri në këtë fazë nuk kanë pasur mundësi lirimi. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë afat tre muaj për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.
Rrjedha e procesit gjyqësor
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan në nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës. Prokuroria pretendon se ata mbajnë përgjegjësi individuale për rrëmbime, keqtrajtime dhe vrasje të civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, përfshirë persona të cilësuar si bashkëpunëtorë të forcave jugosllave apo kundërshtarë politikë.
Gjatë fazës paraprake, Prokuroria dorëzoi mijëra faqe prova, ndërsa Mbrojtja zhvilloi hetimet e veta dhe ngriti kundërshtime ligjore ndaj aktakuzës dhe juridiksionit të gjykatës. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Nga prilli 2023 deri në prill 2025, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë, ndërsa Mbrojtja, mes shtatorit dhe nëntorit 2025, thirri shtatë dëshmitarë.
Gjykata ka arsyetuar vazhdimin e paraburgimit në mbi 25 rishikime, duke vlerësuar se ekziston rrezik për ndikim mbi dëshmitarët ose kryerje të veprave të tjera penale. Sipas gjykatësve, masa e paraburgimit synon të parandalojë hakmarrjen ose ndërhyrjen në dëshmi dhe vlerësohet çdo dy muaj.
Sa i përket transparencës, 134 dëshmitarë dëshmuan në seanca publike, ndërsa 61 prej tyre pa masa mbrojtëse, megjithëse procesi është kritikuar për mungesë të mjaftueshme të hapjes ndaj publikut.







