Berlin ishte mikpritës i edicionit të 38-të të Çmimeve të Filmit Evropian, një mbrëmje kushtuar arritjeve më të rëndësishme të kinemasë evropiane gjatë vitit.
Në këtë ceremoni u përkujtua edhe aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, i cili u nderua për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar në teatër dhe film. Përkujtimi e renditi atë krah emrave të mëdhenj të industrisë evropiane të filmit.
Mbrëmja gala, gjatë së cilës u shpallën fituesit në kategoritë kryesore të kinematografisë evropiane, u transmetua edhe në Radiotelevizionin e Kosovës.
Dominues i këtij edicioni ishte filmi norvegjez “Sentimental Value”, me regji të Joachim Trier, i cili u shpall fitues absolut duke rrëmbyer gjithsej gjashtë çmime. Filmi u vlerësua si Filmi më i mirë Evropian, ndërsa Joachim Trier fitoi çmimin për Regjisorin më të mirë. Po ashtu, çmimi për Skenarin më të mirë iu nda Eskil Vogt dhe Joachim Trier, ndërsa Renate Reinsve u shpall Aktorja më e mirë dhe Stellan Skarsgård fitoi çmimin për Aktorin më të mirë, fitorja e tij e parë pas 26 vitesh. Çmimi për Kompozitoren më të mirë shkoi për Hania Rani.
Konkurrenti kryesor i mbrëmjes ishte filmi “Sirât”, me regji të Oliver Laxe, i cili fitoi pesë çmime, kryesisht në kategoritë teknike. Ky film u vlerësua për Kastingun më të mirë, Dizajnin e produksionit – Laia Ateca, Montazhin – Cristóbal Fernández, Kinematografinë – Mauro Herce, si dhe Dizajnin e zërit.
Akademia Evropiane e Filmit ndau çmime edhe në kategori të tjera. Filmi më i mirë i animuar u shpall “Arco” nga Franca, ndërsa çmimi për Filmin dokumentar të vitit iu dha “Fiume O Morte!”. Ndërkohë, legjenda e kinemasë evropiane, Liv Ullmann, u nderua me çmimin për “Arritje Jetësore”.









