Rrugët e Kopenhagenit janë mbushur me mijëra protestues, të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj deklaratave dhe planeve të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me Grenlandën.
Reagimi publik erdhi pas paralajmërimit të Trumpit të premten, se ai “mund të vendosë një tarifë” ndaj vendeve që refuzojnë përpjekjet e tij për ta vënë Grenlandën nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
Protestat u zhvilluan në të njëjtën kohë me një vizitë në Kopenhagen të një delegacioni dypartiak nga Kongresi i SHBA-së, i cili ka shprehur hapur kundërshtimin e një pjese të konsiderueshme të opinionit amerikan ndaj qasjes së administratës Trump për këtë çështje.
Organizatorët kishin paralajmëruar pjesëmarrje masive në marshime dhe tubime të mbajtura jo vetëm në kryeqytetin danez, por edhe në qytete të tjera si Aarhus, Aalborg dhe Odense, si dhe në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk.
“Qëllimi është të dërgohet një mesazh i qartë dhe i unifikuar respekti për demokracinë dhe të drejtat themelore të njeriut në Grenlandë”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Uagut, shoqatë që përfaqëson banorët e Grenlandës në Danimarkë.
Një tjetër protestë është planifikuar të mbahet në Nuuk, ku qytetarët pritet të dalin kundër “planeve të SHBA-së për të marrë kontrollin e Grenlandës”.
Sipas organizatorëve, protestuesit do të marshojnë drejt konsullatës amerikane, duke mbajtur flamuj të Grenlandës.







