Procesi i rinumërimit të votave po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një numër të caktuar vendvotimesh në mbarë vendin.
Sipas të dhënave zyrtare, nga nisja e procesit të martën, më 13 janar 2026 në orën 18:00, e deri të shtunën, më 17 janar 2026 në orën 16:00, janë rinumëruar gjithsej 382 nga 914 vendvotime. Këto vendvotime u përkasin komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (109/235).
Deri më tani, rinumërimi ka përfunduar në 19 komuna. Gjatë ditës së sotme, procesi është duke vazhduar në komunën e Prizrenit, ndërsa më pas, sipas planit të përcaktuar, do të përfshihen edhe komuna të tjera.
Me qëllim të përshpejtimit të procesit, nga fillimi i ditës së sotme është rritur numri i ekipeve të angazhuara për rinumërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, nga 20 në 26 ekipe.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërkohë, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve, përkatësisht në: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.








