Një rritje e ndjeshme e tarifave të ujit pritet të rëndojë mbi buxhetin e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë gjatë periudhës 2026–2028, si pasojë e kostove më të larta operative dhe zhvillimeve ekonomike të viteve të fundit.
Sipas paralajmërimeve zyrtare, amvisëritë do të përballen me rritje të tarifave deri në 39 për qind, ndërsa konsumatorët jo-shtëpiak me rreth 29 për qind. Ndërkohë, shërbimet për ujërat e ndotura do të shtrenjtohen deri në 25 për qind për të dyja kategoritë e konsumatorëve. Këto rritje vijnë pas shtrenjtimit të ndjeshëm të energjisë elektrike.
Drejtori i Departamentit të Tarifave, Refik Ramaj, shpjegon se vendimi është ndikuar nga disa faktorë kyç, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë, uljen e subvencioneve dhe inflacionin.
“Tarifat e vjetra për konsumatorë shtëpiak kanë qenë 0.38 centë, kurse tani do të ketë një rritje. Për procesin tarifor 2026-2028 do të ketë një rritje prej 39 për qind për amvisëri, ndërkaq 29 për qind për konsumatorët jo shtëpiak. Mesatarja e rritjes konsumatorë shtëpiak dhe jo-shtëpiak është 34 për qind. Tarifat për ujërat e ndotura, sektori shtëpiak 25 për qind, po ashtu edhe ai jo-shtëpiak, mesatarja natyrisht 25 për qind. Çfarë ka ndikuar në këtë rritje prej 34 për qind, së pari ka ndikuar rritja enorme e energjisë elektrike, e cila është 150 për qind apo 2.5 herë është rritur. Siç është e ditur në bazë të kalkulimeve tona, pjesëmarrja e energjisë elektrike në strukturën e shpenzimeve operative është 20 për qind, kur kjo shumëzohet me 150 me këtë rritjen, del 30 për qind. 30 për qind është rritja vetëm për energji elektrike….Faktori i dytë është zvogëlimi i normës ndër subvencionimit…Faktori i tretë është inflacioni”, thekson Ramaj.
Ai shtoi se rritjet ndryshojnë edhe sipas qyteteve. Në kryeqytet, tarifa e ujit është rritur nga 0.45 në 0.63 euro, ndërsa çmimi për ujërat e ndotura ka kaluar nga 0.08 në 0.12 euro.







