Një lajm i rëndë ka tronditur sot opinionin sportiv në Itali dhe më gjerë, duke lënë në zi komunitetin e futbollit dhe veçanërisht tifozët e Fiorentinës.
Rocco Commisso, presidenti i klubit viola, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, pas një periudhe të vështirë shëndetësore. Ai u shua në Shtetet e Bashkuara, ku jetonte prej vitesh.
I lindur në Marina di Gioiosa Ionica, Commisso u shpërngul që në fëmijëri drejt SHBA-së, ku ndërtoi një karrierë të suksesshme biznesi, duke themeluar dhe zhvilluar kompaninë Mediacom, përpara se të hynte fuqishëm në futbollin italian.
Në vitin 2019, ai mori drejtimin e Fiorentinës, duke u shndërruar shpejt në një nga figurat më ndikues të historisë moderne të klubit. Gjatë presidencës së tij, Fiorentina u rikthye në skenën evropiane, duke arritur dy finale të Conference League dhe një finale të Kupës së Italisë, si dhe duke rritur ndjeshëm nivelin konkurrues.
Një nga trashëgimitë më të rëndësishme të Commisso-s mbetet ndërtimi i “Viola Park”, një qendër stërvitore ultra-moderne, e konsideruar ndër më të avancuarat në Evropë dhe simbol i vizionit të tij afatgjatë për klubin.
Në një reagim zyrtar, Fiorentina e ka përshkruar Rocco Commisso-n si një president vizionar, të përkushtuar dhe thellësisht të lidhur me ngjyrat viola, duke theksuar se pasioni, investimet dhe dashuria e tij për klubin do të mbeten të paharruara për tifozët dhe brezat e ardhshëm.








