Sot shënohen 44 vjet nga atentati që tronditi mërgatën shqiptare dhe lëvizjen kombëtare, ku u vranë veprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, tre veprimtarët u ekzekutuan në një atentat të organizuar, i cili edhe pas dekadash mbetet një nga ngjarjet më të rënda në historinë e rezistencës shqiptare jashtë atdheut.
Edhe pas 44 vjetësh, kjo datë mbetet e gjallë në kujtesën kolektive, jo vetëm për familjarët, por edhe për bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që ishin të lidhur shpirtërisht e politikisht me ta.
Sipas autoriteteve gjermane të asaj kohe, tre shtetas jugosllavë u vranë nga persona të panjohur, ndërsa atentati u cilësua si pjesë e “luftës së fshehtë” mes shërbimeve jugosllave dhe kundërshtarëve të regjimit.
Atentati ndodhi në momentin kur vetura BMW 316 (targa: HN CY 353) po nxirrej nga garazhi. Në kushte bore, pas rreth 40 metrash lëvizje, një person hapi zjarr nga afërsia, ndërsa një tjetër iu afrua veturës për t’u siguruar se sulmi ishte përfunduar.
Fqinjët dëgjuan krismat dhe panë dy persona duke ikur. Vetura mbeti e ndezur, pasi Bardhosh Gërvallës i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit, duke vazhduar lëvizjen derisa u përplas me një garazh.
Në vendin e ngjarjes, policia gjeti të vdekur Bardhosh Gërvallën (31 vjeç), të qëlluar me gjashtë plumba, Kadri Zekën të vrarë nga dy plumba dhe Jusuf Gërvallën (36 vjeç) të plagosur rëndë me dy plumba, i cili më vonë ndërroi jetë.
Revista Der Spiegel (25 janar 1982) shkruante se identifikimi i shpejtë i viktimave e sqaroi motivin politik të krimit:
“Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla kishte pëshpëritur para vdekjes: “Ka qenë UDB-ja”.
Sipas raportimeve, mbi ta ishin shkrepur 12 plumba nga pistoleta të kalibrit 7.65, shumica duke goditur organet vitale. Një polic deklaronte: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Eksperti gjerman i sigurisë, Siegfried Hubner, e përshkruante këtë si metodë tipike të shërbimeve sekrete, ku goditjet bëhen për ta rrëzuar dhe për ta eliminuar përfundimisht viktimën.
Atentati i 17 janarit 1982 u konsiderua kulmi i përplasjes mes shërbimit sekret jugosllav dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë në mërgatë.









