Kosova po përballet me rritje të konsumit të energjisë elektrike, ndërsa Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) po operon aktualisht me katër blloqe që prodhojnë rreth 800 megavat-orë, krahasuar me një konsum të ditës prej 1,400 megavat-orë. Shaban Neziri nga KOSTT, gjatë një konference për media, bëri thirrje që qytetarët dhe bizneset të përdorin energjinë në mënyrë të racionuar për të garantuar furnizim të qëndrueshëm.
“Ekipet tona janë të mobilizuara 24/7 dhe bashkëpunojmë ngushtë me operatorët dhe institucionet relevante për të koordinuar aktivitetet që ndikojnë stabilitetin e sistemit. Për transparencë, KOSTT do të publikojë në uebfaqe të dhënat për ngarkesën dhe masat për menaxhimin e saj. Çdo ulje e konsumit në orët e pikut ndihmon që sistemi të mbetet stabil për të gjithë,” tha Neziri. Ai shtoi se konsumimi i energjisë duhet të zhvendoset, sa herë të jetë e mundur, jashtë orëve të ngarkesës maksimale.
Neziri theksoi se piku i ngarkesës gjatë dimrit zakonisht ndodh mes 09:00–11:00, 16:00–19:00 dhe 22:00–23:00. Ngarkesa maksimale deri tani ka arritur 1,523 MW, duke tejkaluar nivelin e vitit të kaluar, dhe kjo rritje kërkon menaxhim më të kujdesshëm operacional. Ai informoi gjithashtu për kapacitetet transmetuese dhe investimet e KOSTT-it, si Nënstacioni Prishtina 6, NS Fushë Kosovë dhe NS Ferizaj, që kanë përmirësuar furnizimin në këto zona.
Megjithatë, mbingarkesa është vënë re në disa nënstacione specifike, si Rahovec, Prizren 1, Gjilan 1 dhe Lipjan, ku gjatë orëve të pikut janë zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara të ngarkesës. “Këto masa nuk janë qëllim në vetvete; ato janë për sigurinë e rrjetit dhe për të shmangur incidente më serioze,” u shpreh Neziri. Ai përmendi gjithashtu investimin e ri të KOSTT-së në Nënstacionin Malishevë, me vlerë 6.78 milion euro, që pritet të përfundojë brenda 13 muajve dhe do të rrisë kapacitetin në zonën Rahovec–Malishevë.
Në lidhje me monitorimin e çmimeve dhe operimin e rrjetit, Neziri sqaroi se KOSTT menaxhon operimin, ndërsa mbikëqyrja e rregullatorit energjetik garanton përdorimin korrekt të platformës SIKAO dhe shmangien e monopoleve.







