Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë veprime penale ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ai akuzohet për mosdeklarim të pasurisë, përkatësisht për fshehje të një shume të konsiderueshme parash të gatshme.
Sipas aktakuzës, Ahmeti dyshohet se ka deklaruar rrejshëm pasurinë e tij, duke mos raportuar rreth 172 mijë euro para të gatshme, të cilat i kishte deponuar personalisht gjatë mandatit të tij.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë thuhet se është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Sipas Prokurorisë Speciale, nga viti 2018 e deri në vitin 2022, i pandehuri, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme të realizuara personalisht gjatë këtyre viteve.
Aktakuza thekson se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172.600.00 eurosh.
Rasti tashmë i është dorëzuar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.







