Filmi “Odiseja e Gëzimit”, projekti më i ri i regjisorit dhe skenaristit Zgjim Terziqi, është përzgjedhur të shfaqet për herë të parë në një nga festivalet më të njohura të filmit në botë, Cairo International Film Festival. Ky festival, i cili është një nga 15 festivalet e kategorisë “A”, të akredituara nga Federation of Film Producers Associations, do të zhvillojë edicionin e tij të 46-të nga data 12 deri më 21 nëntor 2025.
Historia e filmit vendoset në fillim të mijëvjeçarit të ri dhe ndjek rrugëtimin e Lisi-t, një djaloshi 12-vjeçar nga Kosova, i cili përballet me humbjen e babait të zhdukur gjatë luftës. Në përpjekje për të gjetur kuptim dhe shpresë, ai i bashkohet një trupe cirku ndërkombëtare që udhëton për të sjellë gëzim tek fëmijët e vendeve të shkatërruara nga lufta.
Rolin e personazheve e interpretojnë aktorë të njohur si Diar Sadiku, Lucie Fagedet, Frédéric Radepont, Iñaki Lartigue, Tristan Halilaj, Njomëza Fetiu, Meli Qena, Dukë Sllamniku, Edon Rizvanolli, Eli Gashi, Bajram Kafu Kinolli dhe Milot Hoxha.
“Odiseja e Gëzimit” është realizuar si bashkëprodhim Kosovë–Francë, me producent kryesor Plan Bee Films dhe bashkëprodhues Mon Ballon Production. /Gjurmuesi/









