Muaji i fundit i vitit 2025 është shoqëruar me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës, duke shkaktuar pakënaqësi te qytetarët. Mungesa e furnizimit me rrymë ka prekur disa qytete dhe fshatra, veçanërisht gjatë ditëve me konsum të lartë.
Pa energji elektrike janë përballur Gjilani, Rahoveci, Vitia, një pjesë e madhe e Gjakovës, Prizreni, Malisheva, disa fshatra përreth Suharekës, si dhe disa fshatra të Mitrovicës.
Në lidhje me këtë situatë, KEDS ka sqaruar se gjatë muajit dhjetor është shënuar rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike, duke paralajmëruar se vazhdimi i këtij trendi mund të ndikojë negativisht në furnizimin e qëndrueshëm.
“Nga fillimi i muajit, respektivisht nga 1 dhjetori deri më 18 dhjetor 2025, piku i konsumit ka arritur vlerën 1358 MW, që tregon një rritje të theksuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si pasojë e kësaj rritjeje, po vërehen edhe ndikime në asetet e sistemit të shpërndarjes. Nëse ky trend i rritjes vazhdon, ekziston rreziku që të ndikojë negativisht në furnizimin e rregullt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, veçanërisht në disa rajone ku kapacitetet e shpërndarjes janë të kufizuara, që vijnë si shkak i kapaciteteve të pamjaftueshme në burim, ashtu edhe në nivelin e transmetimit”, ka deklaruar KEDS-i.
Nga KEDS bëjnë të ditur se të gjitha ekipet operative janë angazhuar maksimalisht për të garantuar furnizim të pandërprerë, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet aktuale të shpërndarjes.
“KEDS ka investuar dhe vazhdon të investojë në modernizimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve të shpërndarjes. Këto investime, siç jeni informuar më parë, përfshijnë konvertimin e linjave të tensionit të mesëm nga 10 kV në 20 kV në disa qytete, përfshirë Ferizajn, Malishevën dhe Prishtinën. Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.







