Gjatë periudhës 12–19 dhjetor 2025, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka trajtuar gjithsej 38 raste të reja.
Shumica e rasteve kanë të bëjnë me dhunën në familje, gjithsej 31 raste, ndërsa janë përfshirë edhe raste të rënda penale, përfshirë një rast trafikimi, dy raste dhunimi, një rast sulmi seksual, një rast vrasjeje në tentativë, një rast vrasjeje dhe një rast të bashkëjetesës me persona nën moshën 16-vjeçare.
Gjatë kësaj periudhe janë paraqitur gjithashtu 6 kërkesa për Urdhër Mbrojtjeje Emergjente (KUME) dhe një kërkesë për vazhdim të urdhrit të mbrojtjes. Institucionet kompetente kanë nxjerrë 13 aktvendime të aprovuara dhe dy aktvendime të ndërprera.
Mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 87 seanca gjyqësore dhe 14 seanca në prokurori, ndërsa janë ofruar 41 këshilla juridike. Po ashtu, janë regjistruar 18 aktgjykime dënuese, një aktgjykim lirues dhe dy aktgjykime refuzuese.
Në kuadër të mbështetjes për viktimat janë realizuar referime dhe përfaqësime të ndryshme, duke përfshirë një referim në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, gjashtë referime në Qendrat për Punë Sociale, dy përfaqësime në polici, dy në strehimore dhe një kërkesë për kompensim nga fondi për viktima.
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes ligjore dhe institucionale për viktimat e veprave penale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. /Gjurmuesi/







