Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar bilancin vjetor për vitin 2025, duke bërë të ditura të dhëna që tregojnë rritje të ndjeshme të të hyrave dhe aktivitetit ekonomik në vend. Sipas këtyre të dhënave, gjatë këtij viti janë arkëtuar mbi 1 miliard euro të hyra, ndërsa qarkullimi i përgjithshëm i bizneseve vlerësohet të ketë arritur rreth 25 miliardë euro.
Në këtë prezantim u theksua se ATK-ja mbetet një nga institucionet kyçe për funksionimin e shtetit dhe financimin e buxhetit publik. U përmend edhe rritja e numrit të të punësuarve dhe performanca më e mirë ekonomike krahasuar me vitet paraprake.
“Gjatë 5 viteve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe një nga treguesit e kësaj performance është edhe tejkalimi i shifrës 1 miliard euro të hyrat nga tatimet apo të mbledhurat nga ATK, një fakt që e dëshmon se është një rritje e vazhdueshme e besimit të qytetarëve në institucionet tona. Konkretisht, ju them edhe raportin ditor që e pranoj si ministër, shifra prej 1 miliard euro për herë të parë në historinë e ATK-së është mbledhur apo është përmbushur me 16 dhjetor të këtij viti. Ende pa u mbyllur viti është shënuar rekord historik. Kjo shifër nuk është e rastësishme sepse ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik. Kemi biznese që këtë vit pritet ta mbyllin me rreth 25 miliard euro qarkullim, ndërkaq hiç më larg se para pesë viteve ishte 11.5 miliardë euro. Gjithashtu nuk është rritur vetëm qarkullimi por kemi edhe rritje të fitimit të bizneseve. Nëse marrim për bazë tatimin në fitimin e korporatave, pra si indikator e shohim që fitimi bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pra pritet të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa para pesë vitesh ka qenë rreth 900 milionë euro. Ngjashëm kemi të bëjmë edhe me trendin e numrit të të punësuarve. Numri, apo shifra e të punësuarve në muajt e fundit tregon që ka arritur, apo ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që kanë të raportuara në ATK, kurse para pesë vitesh ishte 350 mijë”, tha Murati.
Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, e ka cilësuar këtë periudhë si moment historik për institucionin, duke theksuar sfidat me të cilat është përballur administrata.
“Kisha dashur t’i vë theks kësaj shifre, sidomos duke pasur parasysh që ATK po përballet me mungesë të punëtorëve, që sillet rreth 30% dhe një moshë mesatare që kalon 51. Prapë ATK ka arritur të krijojë të hyra që tejkalojnë 1 miliardëshin. Sivjet kemi një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, e cila është rritje që e përcjellë tregun e viteve të fundit”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave zyrtare, kontributet pensionale gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 354 milionë euro, ndërsa në total tatimet dhe kontributet kanë shkuar në 1.366 miliardë euro.
Gjatë këtij viti, ATK ka realizuar mbi 24 mijë kontrolle përmbushëse dhe më shumë se 7 mijë vizita në terren, duke rezultuar me 86.3 milionë euro tatim shtesë, përfshirë tatime, ndëshkime dhe interesa. Po ashtu, janë shqiptuar mbi 23 mijë gjoba, nga të cilat më shumë se 11 mijë ishin mandatore, me vlerë totale rreth 3 milionë euro.
Në kuadër të luftimit të informalitetit dhe shmangies tatimore, janë identifikuar mbi 240 mijë tatimpagues aktivë, përfshirë më shumë se 140 mijë biznese dhe rreth 99 mijë persona fizikë jo afaristë. Gjatë vitit janë regjistruar mbi 1 mijë punëtorë të rinj, ndërsa numri mesatar i punëtorëve të deklaruar ka kaluar 452 mijë.
Gjithashtu, janë zhvilluar 88 aktivitete për trajtimin e rasteve të shmangies tatimore, janë iniciuar 19 kallëzime penale dhe janë përgatitur 41 raporte informuese për Prokurorinë. ATK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë fiskalizuar mbi 2 mijë biznese të reja, janë instaluar më shumë se 4 mijë pajisje elektronike fiskale dhe janë trajtuar mbi 5 mijë kërkesa për rimbursim. /Gjurmuesi/









